Kush është zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve nga radhët e PDSH-së

Musadik Beqiri është propozuar për zëvendësministër për Transport dhe Lidhje në kuadër të zgjerimit të Qeverisë dhe pas dorëheqjes nga ky post të Remzi Mehmedit nga Aleanca për Shqiptarët.

Për shumicën bëhet fjalë për një emër të panjohur në skenën politike dhe koluaret partiake, por ai njihet më shumë si një kuadër i përkushtuar në profesionin e tij. Në vitin 1987 ka diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës. Biografia që është dorëzuar në Kuvend që e ka siguruar INA është e shkurtër, por ai më shumë njihet me angazhimin profesional si inxhinier ndërtimi. Në vitet e 90-ta ka punuar për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Brendshme. Më pas largohet dhe themelon kompaninë e tij private “Tehnoproekt – 2”.

Nga viti 1999 deri 2003 ka qenë zv/drejtor në ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”. Në vitin 2003 emërohet drejtor në ndërmarrjen komunale “JKP Tetovë”. Ndërsa në vitin 2009 emërohet drejtor në ndërmarrjen “Geoinzhenering” në Tetovë. Në periudhën e vitit 2012 nga ky post kalon në udhëheqës të sektorit të urbanizmit në komunën e Tetovës, gjatë mandatit të ish-kryetarit Sadi Bexheti.

Ai konsiderohet si një anëtar aktiv i PDSH-së dhe i afërt me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi. (INA)