Hynë në përdorim monedhat polimere, monedhat e vjetra 10 dhe 50 den. nuk vlejnë më

Me fillimin e përdorimit të bankënotave të reja nga qarkullimi tërhiqen 10 dhe 50 denarët e letrës, të cilat nuk do jenë mjet ligjor për pagesë.

Edhe pse fillimisht në dukje bankënotat polimere ngjasojnë me ato të letrës të cilat janë përdorur deri më tani, nga Banka Popullore e RM-së thonë se dallimi kryesor i bankënotave të polimerit dhe letrës është pikërisht materiali që përdoret si shtresë për shtypje. Letra e punuar prej fijeve të pambukut zëvendësohet me shtresë të posaçme, substancë të përpunuar nga polipropileni me orenetim biaksial.

Analizat tregojnë se jetëgjatësia e bankënotave të punuara nga polimeri është më e gjatë se ajo e bankënotave të përpunuara nga letra.

“Dallimi bazë në mes të bankënotave polimere dhe bankënotave të letrës është në materialin i cili përdoret për prodhim, përkatësisht letra zëvendësohet me polimer. Vula e ujit është zëvendësuar me dritare të tejdukshme, e cila është karakteristike e bankënotave polimere. Gjithashtu si shenjë mbrojtëse e këtyre bankënotave polimere është edhe mikrotesti, i cili është i lexueshëm vetëm me luspë, shenja tjera janë laseri i dyfishtë, fotografia e fshehtë, si dhe do të kenë veti utra vjollcë”,- theksoi Sonja Kaniç nga BPRM.

Banka Popullore i përkujton qytetarët dhe personat juridikë se nëse posedojnë para të letrës në vlerë apoeni prej 10 dhe 50 denarë, munden falas t’i zëvendësojnë për para të tjera monedha, në vlerë ekuivalente. Nga 15 maji i këtij viti deri më 15 maj të vitit 2019, do të mund ta bëjnë zëvendësimin në bankat afariste në Republikën e Maqedonisë. Pas 15 majit të vitit të ardhshëm zëvendësimi do të mund të bëhet vetëm në Bankën Popullore.

ERSAN PAJAZITI