Ndikimi rus në Maqedoni dhe nevoja imediate e unifikimit të shqiptarëve

Vigjilent Leka
Pas gjithë këtyre kundërshtimeve për hapërimin e Maqedonisë drejt organizatave euro-atlantike, nuk ishte e befasishme edhe vizita në Maqedoni e ideologut të Putinit, Aleksandar Dugin, shkrimtar dhe Profesor i sociologjisë në Universitetin me renome të Moskës “Lomonosov”.

Bashkë me Duginin ishte edhe bashkëpunëtori i tij, Leonid Savin, themelues i Lëvizjes ndërkombëtare euro-aziatike. Dugin është i njohur për thirrjet e tij për gjenocid në Ukrainë, gjatë problemit me aneksimin e Krimesë, nga ku edhe ju ndalua hyrja në SHBA.

Mediat e ndryshme botërore e përshkruajnë si filozofin më të rrezikshëm në botë. Dugin është kreatori kryesor i politikave të tanishme ruse, duke e promovuar Putinin si lider absolut dhe të pazëvendësueshëm. Pikëpamjet e tij janë fashiste, është kundër liberalëve dhe komunistëve (që ndoshta janë pak si numër, por ideja e tyre jeton).

Pas vizitës së tij në Serbi dhe takimeve me figura akademike dhe studentë të ndryshim ku përkrahja ndaj tij vazhdimisht po rritet, ai në Maqedoni u prit nga partia “Maqedonia unike/e vetme”, dhe kryetari i saj Janko Baçev. Parti kjo që deri në vitin 2014 ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit.

Partia e Baçevit nëpërmjet komunikatave kohëve të fundit ka bërë thirrje për ndërprerjen e bisedimeve për çështjen e emrit, si dhe për ndryshimin e kursit politik nga ai eurointegrues në anëtar të Unionit ekonomik Euroaziatik, madje me kërkesë zyrtare i është drejtuar Parlamentit për t’i tërhequr aktet për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Viteve të fundit në Ballkanin perëndimor vërehet një tendencë në rritje e ndikim rus që ka për qëllim destabilizimin e rajonit dhe futjen nën kthetrat e politikës së Putinit. Edhe personazhi i kësaj kolumne, Dugin, shumë herë ka plasuar idenë e tij për “Serbinë e madhe” ku nënkupton bashkimin e Republikës serbe të Bosnjës me Serbinë aktkuale, dhe Kosovën si tërësi. Ideja e ndryshimit të kufinjve në Ballkan do të kishte një efekt domino. Edhe ashtu me një situtatë mjaft të brisht të organizimit shtetëror dhe shoqëror në përgjithsi, Ballkani perëndimor po gjendet para sfidës së rradhës, udhëkryqi perëndim-lindje.

Kujtojmë që në Mal të Zi, Rusia ka ndikim të plotë tek opozita e atjeshme. Rusët atje kanë blerë pothuajse të gjitha mediat, 14 sosh, kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore, ka shumë biznesmenë dhe investitorë rus që veprojnë në atë shtet.

Në zgjedhjet e fundit thirrjet nacionaliste, dhe të orientuara e të motivuara nga Rusia ishin mjaft të pranishme para dhe gjatë fushatës. Sot në Mal të Zi kemi një Qeveri pro-perëndimore me vetëm 2 deputetë që bëjnë dallim nga opozita pro-ruse.

Ndikimi i tillë ka qenë i pranishëm edhe në Maqedoni, sidomos viteve të fundit kur vendi u izolua, mos të themi tërësisht, nga organizatat dhe politika perëndimore. Me Gruevskin në krye të vendit që me qëllim promovonte irredentizëm ndaj fqinjëve sidomos ndaj shqiptarëve dhe grekëve, integrimi ishte një iluzion. Përpjekje megalomane janë bërë që ai regjim të shkonte në histori, edhe pse në pamje të parë ashtu duket, ajo mendësi ende ekziston në struktura të caktuara politike dhe para-politike.

Në gjendur në një fazë kritike, ku vendoset e ardhmja e këtij vendi, janë shtuar zërat për bojkotimin e procesit eurointegrues, duke pasur edhe kërcënime nga struktura të caktuara. Diferencën e orientimit në këtë shtet padyshim që e bëjnë shqiptarët, gjegjësisht forcat politike shqiptare.

Në situatën momentale, tek pala maqedonase janë krijuar blloqet politike me orientim të ndryshëm, kemi një LSDM pro-perëndimore dhe një VMRO-DPMNE pro-ruse. Është nevojë imediate që shqiptarët të unifikohen në një platformë të përbashkët dhe me ndikimin e tyre të bëjnë diferencën që do të nënkuptonte largim nga ndikimi forcave të errëta përgjithmonë.