Itali: Është beqar, ka punuar kamerier: Kush është Di Maio, populisti që mund të bëhet kryeministër

Forca politike që doli në vend të parë në këto zgjedhje në Itali është “Lëvizja 5 Yjet” e drejtuar nga Luigi di Maio, një 32-vjeçar me një të shkuar jetësore të zakonshme, por me një të ardhme politike të pazakontë.
Ai ka deklaruar se kërkon të drejtojë Italinë.

“Sot ka nisur Republika e Tretë dhe do të jetë një Republikë e qytetarëve”, deklaroi di Maio, duke theksuar se “Lëvizja e 5 Yjeve” është fituese absolute.
Ndërkohë që vuri në dukje se do të bisedojë me të gjithë aleatët për një qeveri të drejtuar nga “Lëvizja e 5 Yjeve”.
Por në lojë do të hyjë presidenti Mattarella.

Ky i fundit do të vendosë se cila parti, Liga e Veriut apo Lëvizja e 5 Yjeve, do të ketë të drejtë të formojë qeverinë e re.
Luigi Di Maio duke u përqafuar me Beppe Grillo-n pas fitores
Por kush është Di Maio?

Luigi Di Maio ka lindur në Avellino me 6 korrik të vitit 1986.

Është një politikan i ri italian, deputet i Lëvizjes 5 Yje dhe mban edhe detyrën e zëvendëspresidentit të Dhomës së Deputetëve. Është më i madhi i tre vëllezërve.
Nëna e tij është një mësuese e italishtes dhe latinishtes, ndërsa babai i tij është një sipërmarrës në fushën e ndërtimit, i aktivizuar dikur me forcat neofashiste.
Pas diplomës në liceun klasik ai është regjistruar në universitet, ku fillimisht zgjodhi inxhinierinë informatike, të cilët do ta braktiste më pas për jurisprudencën.

Që nga viti 2007, ai punoi si gazetar dhe publicist. Në vitin 2012 ka debutuar në kinema me dokumentarin “Tregtia” ku denoncohej situata e tregtarëve të vegjël.
Ka punuar pak kohë si kamarier e ndihmës në stadium, për të vijuar më pas si ëebmaster (mirëmbajtës uebi) e në fund me kandidimin për “Lëvizjen 5 Yjet” të drejtuar nga Beppe Grillo.
Është beqar, pëlqen makinat (ka një Mini Cooper vintage) dhe e konsideron veten jo karizmatik dhe si të keq në futboll. Kur ishte i vogël, dëshira e tij ishte që të bëhej një oficer policie.

 

Jeta politike

Luigi Di Maio konsiderohet si pragmatist e institucional.
Nga viti 2007 ai është pjesë e Lëvizjes 5 Yje. Në vitin 2010 kandidohet si këshilltar komunal po nuk arrin të fitojë.

Arrin të zgjidhet në vitin 2013 si deputet për këtë forcë politike e menjëherë më pas mandatohet edhe si zëvendëskryetar i Parlamentit, duke qenë më i riu në historinë e Italisë (26 vjeç) që mban një detyrë të tillë.
Në pak kohë ai bëhet një nga fytyrat më të njohura të Lëvizjes dhe arrin të bëhet anëtar i kryesisë së saj.

Në shtator të 2017 kandidohet në zgjedhjet paraprake për kreun politik të Lëvizjes 5 Yje ku votimet nga platforma elektronike e nxjerrin fitues me 82 % të votave.

“Lëvizja e Pesë Yjeve”
“Lëvizja e Pesë Yjeve”, një parti e orientuar majtas, e formuar si parti proteste para nëntë vitesh nga komediani Beppe Grillo dhe që sot drejtohet nga Luigi di Maio.
Kjo lëvizje ngrihet kundër elitës së vjetër politike dhe premton një politikë sociale.
Ajo është skeptike ndaj BE dhe kritike ndaj pranimit të refugjatëve në Itali.
Sipas Luigi di Maio, shtetet e tjera në Europë duhet të dallojnë se rreziku i vërtetë vjen nga Le Pen dhe Alternativa për Gjermaninë.