Montuesit e “Sopotit” do të shpëtojnë! Ndërsa shqiptarët kalben burgjeve pa pikën e fajit

Policëve sekret, për shkak të vjetërsimit të veprës penale, nuk do të jetë e mundur të vërtetohet. Kështu që, Robert Ivanovski, Boban Stojanovski, Ilija Smilevski, Mile Vellkovski, Mile Andonovski dhe Marjan Nikollovski, që të gjithë punonjës të DSK-së, do të shpëtojnë pa një gjemb në këmbë, edhe pse e montuan rastin më të rëndë kundër shqiptarëve që pas 2001-shit.

Nëpunësit e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, të përfshirë në rastin e “Sopotit”, nuk do të përgjigjen penalisht për shkeljet ligjore që i kanë bërë në këtë rast. Tejkalimi i kompetencave dhe marrja me dhunë e deklaratës të dëshmitarit të vetëm, Ramadan Bajrami, për shkak të kalimit të afateve ligjore, nuk mund të procedohet më tutje, shkruan gazeta KOHA. Ashtu siç ditë më parë theksuan avokatët e të akuzuarve në rastin e “Sopotit”, se dispozitat ligjore nuk lejojnë inicimin e procedurave penale kundër pjesëtarëve të policisë sekrete, të njëjtën gjë të hënën e konfirmoi edhe Prokurorja Speciale, Katica Janeva.

“Mendoj se afatet ligjore për inicimin e procedurave penale kundër nëpunësve të DSK-së në rastin e ‘Sopotit’ kanë përfunduar. Sa i përket këtij rasti, në seancën e radhës kur pritet të jepen fjalët përfundimtare, ne do të prononcohemi në përgjithësi për këtë lëndë”, tha Janeva në pyetjen e gazetës KOHA nëse tani, pasi policët sekret pranuan fajin, të njëjtit do të ngarkohen me padi për montim rasti. Zvarritje 15-vjeçare e rastit të “Sopotit” nëpër korridoret e gjykatave të Maqedonisë, ndonëse përfundimisht do ta dëshmojë pafajësinë e 10 shqiptarëve të akuzuar nga Sopoti, megjithatë përgjegjësia penale ndaj policisë sekrete, për shkak të vjetërsimit të veprave penale që i kanë kryer, nuk do të jetë e mundur të vërtetohet.

Gjatë hapjes së projektit të ri të PSP-së të titulluar “Përforcimi i kapaciteteve operative të PSP-së”, shefja e prokurorisë special foli edhe për rastin “Monstra”. Si shumë herë deri më tani, ajo edhe kësaj radhe nuk shpalosi ndonjë detaj të panjohur për këtë lëndë, por vetëm shtoi se me publikimin e raportit të punës, më datë 15 mars, zyrtarisht do të dihet e ardhmja e kësaj lëndë. Njëkohësisht, prokurorja Katica Janeva, të hënën u pyet edhe për rastin “Alfa”, i cili kohëve të fundit, pas 9 vitesh, përsëri është aktualizuar. Lidhur me videon e publikuar ku shihet sulmi dhe vrasja e pjesëtarëve të njësitit “Alfa” dhe në përgjithësi për rrjedhën e procesit gjyqësor për këtë lëndë, prokurorja Janeva tha se nuk posedon të dhëna. Megjithatë, ajo nënvizoi se javën e ardhshme, kur pritet edhe të publikohet raporti i radhës i PSP-së, opinioni do të marrë përgjigje edhe për këtë rast./koha.mk/