Gostivar, sqarim për ndalimin e publikimit të Aktvendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit

Kryetari i komunës së Gostivarit, në bazë të nenit 50, paragrafi 1, pika 2 lidhur me nenin 51, paragrafi 1, 2, 3 dhe 4 të Ligjit për vetëqeverisje lokale (“Gazeta zyrtare” nr. 5/2002), solli Аktvendim për ndalimin e publikimit të Aktvendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit të Komunës së Gostivarit në Buletinin zyrtar, sepse i njëjti nuk është marrë në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale, Statutin e Komunës, si dhe Rregulloren për punë të Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Në Seancën konstituive të Këshillit, propozimi është dhënë nga ana e Komisionit për verifikim, çështje mandatore, zgjedhje dhe emërime, Komision i cili, në përputhje me Rregulloren për punë të Këshillit të Komunës së Gostivarit, nuk është kompetent për të propozuar kandidat për kryetar të Këshillit të Komunës.

Në shtojcë ju dërgojmë Aktvendimin e kryetarit të komunës Arben Taravari të datës 04.12.2017.

Ndryshe, siç theksoi kohë më parë vetë kryetari Arben Taravari, së shpejti do të formohet shumicë e re dhe qytetarët e Gostivarit do të kenë funksionalë të dy organet e njësisë së vetëqeverisjes lokale, respektivisht Kryetarin e komunës dhe Këshillin e Komunës, e që do të pasqyrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve të komunës së Gostivarit.