REPORTAZH: Përditshmëria shqiptare në Alaskë (FOTO)

184

Shqiptarët e Alaskës në SHBA janë të interguar mirë në jetën e këtij shteti amerikan, duke arritur suksese të mëdha në jetën shoqërore. Ndër ta ka pronarë restoranesh me famë, inxhinierë nafte, pilotë, mësues, hotelierë, taksistë e sportisë të njohur, shumica e të cilëve vijnë nga Maqedonia, por edhe nga trojet tjera shqiptare.

Gjatë një vizite në Alaska të SHBA-ve, “Shtegu.com” ka vizituar shqiptarin nga Maqedonia, Nexhati Tifeki i cili tash e disa vite është vendosur me familje në këtë vend të largët e të ftohtë. Profesioni i tij është pilot i avionit, një profesion me të cilin në SHBA dhe vendet e tjera të botës nuk paraqet ndonjë problem të madh për tu punësuar, pasi atje nuk merret shumë parasysh prejardhja e personit, përkatësia kombëtare, politike, fetare apo racore. Nexhati ishte edhe më parë temë e medieve shqiptare, pasi pak pas luftës së Kosovës, së bashku me James Berishën u aktivizuan në përkrahjen e aviacionit shqiptar në trojet tona dhe hapjen e një shkolle të aviacionit. Gjatë një fluturimi nga aeroporti i Shkupit, Nexhati i përkujton ato caste me një emocion të vecantë. “Dyshoj se avionit tim i ishte përgatitur sabotim. Gjatë fluturimit, vërejta se motori filloi ta humbë vajin dhe isha i detyruar të aterroj në Stenkovec. Më pas e vërejta se atij i ishte këputur qëllimisht një tel i sigurisë ne filterin e vajit, prandaj nuk kisha alternativë tjetër, përpos se të aterroj në vendin më të afërt të përshtatshëm”, ka pohuar Nexhati për “Shtegu.com”.

Loading...

Por, cfarë bën një pilot shqiptar në Alaskë, përse ai punon në një vend kaq të largët nga vendlindja, përse pesë fëmijët e tij janë të detyruar të qëndrojnë aq larg shoqeve e shokëve të tyre shqiptarë, në një vend shumë të panjohur e shumë të përshtatshëm për asimilim të tyre të shpejtë?! “U mundova shpeshëherë të punësohem në vendlindje, por askush nuk më ofroi ndonjë vend pune. Vështirësi më të madhe paraqiste fakti se jam shqiptar, ndërsa faktorët politikë shqiptarë as që kanë tentuar të bëjnë gjë në këtë drejtim. Kontaktova me disa personalitete politike, si psh Behxhet Pacollin, Bujar Azizin nga Shqipëria e shumë e shumë personalitete tjerë, u kam shkruar letër partive politike shqiptare në Maqedoni dhe asnjëherë nuk më janë përgjigjur. Pas këtyre përpjekjve, jam dëshpëruar pa masë dhe tashmë jam vendosur në SHBA. Amerika më akcepton dhe ofron një jetë normale dhe më mundësoi ta realizoj ëndrrën time rinore. Natyrisht se më brengos fakti që për fëmijët e mi ekziston rreziku i asimilimit të shpejtë, por kjo le të jetë në ndërgjegjen e atyre të cilëve iu drejtova dhe nuk më ndihmuan aspak”, pohon Nexhati me një ofkëllimë përvëluese nga dëshpërimi i madh.
Nexhati e përmend edhe faktin se shpeshë akuzohet prej bashkatdhetarëve të vet se përse nuk fluturon në vendlindje, por në Alaskë, thuajse qëllimisht nuk do të fluturonjë në vendlindje. “Kjo gjë është vështirë të sqarohet, pasi përputhet me realitetin tonë dhe gjendjen e përgjithshme kombëtare. Në të vërtetë, neve na mungon uniteti”, vazhdon më tej Nexhati. “Kemi pilotë shqiptarë të cilët fluturojnë nëpër gjithë botën, si në SHBA, Katar, Arabinë Saudite, Austri, Gjermani, Suedi, etj, etj , por si duket ende jo sa duhet në vendlindjen tonë. Jemi të mirë për të huajt, por jo edhe për vendin tonë. Pa koment. Kjo gjë më brengosë pa masë”, përfundon Nexhati.

20170518_155438

Ditë e enjte, një shi i imët por i ftohtë e ka kapluar qiellin e Alaskës. Familja e Nexhatit po i bën përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të përfundimit të shkollimit të vajzës Hamide. Ajo sapo ka përfunduar shkollimin e mesëm dhe ishte njëra ndër nxënëset më të suksesshme të shkollës, ndërsa dëshira e saj është të vazhdojë shkollimin e lartë për mjekësi. Nisemi me dy vetura, ndërsa mua më shoqëron Osmani, djaloshi shtatëmbëdhjetëvjecar i familjes me shtat të lartë e sportiv, i cili fletë një shqipe të ëmbël, të përzier me theks amerikan. Ai më rrëfen se ka ushtruar shumë kohë sportin e mundjes, por se një lëndim në gju e ka detyruar të pauzojë një kohë relativisht të gjatë. Edhe ai është i dhënë shumë pas mësimeve dhe më tregon se ende nuk di cilin fakultet do ta regjistrojë, porse është i interesuar të vazhdojë shkollimin e lartë.

Në fund mbërrijmë në qendrën ku do të mbahet manifestimi i përfundimit të maturës së nxënësve. Një ambient fantastik, i shoqëruar me orkestër dhe praninë e maturantëve. Amerikanët ia dinë rendin këtij manifestimi, të gjithë i përshëndesin të afërmit e tyre, ndërsa nga skena dëgjohet edhe emri i Hamide Tifekut, e cila defilon krenare dhe plot motivim se shumë shpejt do të kontribuojë në sistemin shëndetësor të këtij vendi. Edhe një reprizë e skenarëve të cilët po e lëndojnë ndjenjën kombëtare, një vajzë shembullore shqiptare është e detyruar të integrohet në një kulturë të huaj, në mungesë të kushteve në vendlindje. Edhe një hap më larg identitetit kombëtar, edhe një njollë e rëndë për shqiptarët me ndërgjegje të pastër./Shtegu.com/

Loading...