Analistët: Zgjedhjet e reja nuk sjellin dobi

21

Analistët kanë mendime të ndryshme për atë se cili nga opsionet e BDI-së për Qeverinë e re, është më i mundshëm të ndodhë në periudhën e ardhshme. Agim Jonuz vlerëson se formimi i Qeverisë teknike, përkatësisht asaj të zgjeruar është forma e vetme për qetësimin e situatës dhe evitimin e tensioneve të mundshme kurse zgjedhjet e reja, sipas tij, janë të patjetërsueshme por zgjedhjet e menjëhershme nuk do të ishin zgjidhje.

Maqedonia ballafaqohet me një problem serioz dhe kjo është si të instalojë Qeveri teknike e përbërë nga një koalicion i zgjeruar dhe kjo të jetë e shpejtë, efektive dhe praktike. Për këtë ekziston mundësia e uljes në tavolinë për një të ashtuquajtur Marrëveshje e re e Përzhinës në të cilin do të merren vesh me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare se si ajo Qeveri teknike do të funksionojë dhe e dyta është që dikush të pranojë të koalicionojë me dikë, d.m.th. opsioni a) ose b) në të cilin ekziston mundësia që pakënaqësia e njërës palë të shndërrohet në tensione të mëdha dhe serioze – u shpreh analisti Agim Jonuz.

Sipas analistit Albert Musliu, më i mundshëm është formimi i Qeverisë politike kurse qëndrimi i BDI-së në opozitë është opsion i palogjikshëm.

Mendoj se të dy opsionet e Qeverisë politike, qoftë ajo me VMRO-DPMNE ose LSDM, varësisht se çfarë qëndrimi do të marrin ata ndaj platformës ose ndaj kërkesave të BDI-së, janë më reale kurse opsionet e tjera të të Qeverisë së zgjeruar ose shkuarja në zgjedhje të reja nuk janë optimale për kërkesat e shqiptarëve. Nëse shkohet në zgjedhje të reja, kjo nuk nënkupton se ajo parti që fiton do të ketë qëndrime të ndryshme prej atyre që ka tani. Opsioni që BDI të mbetet në opozitë është i pamundur për shkak të numrave që BDI i ka – tha analisti Albert Musliu.

Loading...

BDI njoftoi se një nga arsyet që të mos pranojë koalicion është mos-pranimi i pikave të platformës së partive shqiptare.