A duhet ndryshuar statusi i shoqatave humanitare në Maqedoni?

64

Hamdi Nuhiju

Duke u bazuar në praktikën e deritanishme, shoqatat humanitare në Republikën e Maqedonisë, e sidomos shoqatat humanitare shqiptare janë tejet të diskriminuara në marrjen e privilegjeve të shtetit të cilat si duket janë duke i përfituar vetëm shoqatat humanitare maqedonase.

Po nisim sqarimin me radhë duke shpresuar se në ditët në vijim do të thellohemi tek secila prej pikave që po përmendi.

Për t`u liruar një shoqatë humanitare nga TVSH-ja sipas ligjeve në fuqi, ajo ka tre mënyra para vetes.

Mënyra e parë është se ajo duhet që të aplikoje në ministrinë e drejtësisë vetëm për një projekt të caktuar. Ministria e drejtësisë kërkon mendim dhe pëlqim prej ministrisë së punës dhe politikës sociale. Pas marrjes së atij pëlqimi që shqiptarët thuajse asnjëherë nuk e marrin, Qendrat Sociale në vend përpilojnë listat e përfituesve në vendin e organizatës ku dëshiron që ta kryej aktivitetin.

Te kjo mënyra e parë ngriten shumë pikëpyetje:

  1. Pse ministria e punës dhe politikës sociale duhet që t`i ketë kompetencat për këtë sferë kur vendimi lëshohet në ministrinë e drejtësisë, a do të thotë kjo gjë se shoqatat humanitare shqiptare duhet që të pengohen në këtë mënyrë duke u përballur gjithmonë me një vendim negativ?
  2. Pse Qendrat Sociale duhet që të përgatisin listat e përfituesve e jo vet shoqatat humanitare? Nëse një shoqatë humanitare shqiptare ka marr donacion prej shqiptarëve, mërgatës shqiptare, a duhet që për hir të lirimit prej TVSH-së në këtë aktivitet fatin e donacionit ta lë në duar të Qendrës Sociale e cila mund të jetë tejet selektive duke e çuar donacionin vetëm te popullata maqedonase.
  3. Pse sipas ligjit në fuqi, shoqata duhet që të aplikoje vetëm për një projekt për t`u liruar prej tatimit dhe jo për të gjitha projektet?

Mënyra e ditë e lirimit prej tatimit është aplikimi i shoqatës humanitare deri te Sektori për çështje evropiane, SEPA, por edhe aty ngriten shumë pikëpyetje dhe dilema.

  1. SEPA pranon aplikimet vetëm për donacionet që vijnë prej Bashkimit Evropian, organizatave shtetërore dhe jo vendeve tjera, pse përjashtohen vendet tjera në aktivitetet humanitare?
  2. Për t`u liruar prej tatimit duhet vulë dhe xhiro llogari e veçantë për secilin projekt që aplikon, ndërsa kjo vulë dhe xhiro llogari vlen vetëm për njëherë. Pse nuk mund të aplikohet për të gjitha projektet dhe vula e xhiro llogaria të vlejnë për një periudhë më të gjatë kohore, si për shembull: tre vite ose pesë vite?
  3. Listën e përfituesve te ky aplikim e plotëson Qendra Sociale dhe jo vet shoqata. A nënkupton kjo gjë se Qendra Sociale donacionin mund ta shfrytëzoje edhe për qëllime politike duke i kushtëzuar përfituesit e kësaj ndihme për marrjen e votës?

Mënyra e tretë e lirimit prej tatimit për të gjitha aktivitetet e shoqatës është vendimi i posaçëm i Qeverisë.

Mirëpo një shoqatë humanitare për të arritur deri te një vendim i posaçëm i qeverisë duhet që të përballet me hierarkinë dhe burokracinë e korruptuar të Republikës së Maqedonisë. Që i bie se ky opsion qysh në fillim është vetëm në ëndrrën e të gjitha shoqatave humanitare shqiptare në Maqedoni.

Shkurtimisht po përmendi benificionet që mund të ketë shteti nëse heq TVSH-në pa hile tek të gjitha shoqatat humanitare:

Loading...
  1. Shoqatat humanitare do të kanë mundësi mbijetese dhe krijimin e vendeve të reja të punës;
  2. Do të zhvillohet ekonomia, pasi që do të rritet sasia e donacioneve;
  3. Shtohet numri i rezervave devizore për shkak të donacioneve të jashtme;
  4. Ulet nivel i varfërisë;
  5. Shtohet aktivizmi qytetar;
  6. Mundësohet zhvillimi dhe edukimi i të rinjve pa pagesë;
  7. Mund të zhvillohet infrastruktura shëndetësore përmes shërbimeve falas mjekësore;
  8. Ulen shpenzimet e shtetit për kategoritë sociale, duke e pasur parasysh se këtë gjë në dorë ia lë shoqatave humanitare;
  9. Përmirësohet imazhi i Republikës së Maqedonisë;
  10. Mund të zbulohen talente të reja sportive, shkencore e akademike që do t`i shërbenin në të ardhmen vendit.