Testi PISA: 77% e nxënësve 15-vjeç s’dinë lexim në Kosovë

107

Rezultatet e testit PISA rangohen në gjashtë nivele, ku niveli dy tregon për aftësitë minimale të nxënësve. Testi ka gjetur se në fushën e leximit 77 për qind të nxënësve 15-vjeçarë kosovarë nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në atë të shkencave 68 për qind.

Ministria e Arsimit ka publikuar sot rezultatet e nxënësve kosovarë në testin PISA. Sipas këtyre rezultateve, Kosova radhitet ndër pesë vendet e fundit.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i vlerësoi këto rezultate si “të pritshme”. Ai shfaqi shpresën se në vlerësimin e ardhshëm të PISA-s Kosova do të jetë në nivel më të lartë.

“Ky është moment kur ne duhet të reflektojmë, kur ne duhet menjëherë të jemi shumë më aktivë në mbështetjen që duhet t’i japim sektorit të arsimit në depolitizimin e plotë të sistemit arsimor. Jam i sigurt që rinia jonë meriton një arsim më cilësor, që është një rini evropiane dhe nesër do të jetë plotësisht e barabartë me kolegët e tyre”, tha Bajrami.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Popovci, tha se vlerësimi mbi aftësitë e leximit është më shqetësuesja.

“Ngecja në fushën e leximit reflekton në të gjitha fushat. Ai që nuk ka aftësi minimale të leximit pastaj nuk ka aftësi as të të mësuarit, as pjesëmarrjes në jetën shoqërore, politike, e kështu me rradhë. Sipas pikëve të testit PISA ne qëndrojmë dikund tre vite mbrapa në shkollim në krahasim me shtetet e OECD-së”, vlerësoi Popovci.

Loading...

Kurse, udhëheqësja e programit Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor nga GIZ, Dagmar Fuchs-Schmitz, tha se këto rezultate janë një thirrje për zgjim të institucioneve për përmirësim të gjendjes.

“Është koha për vendime të guximshme në Kosovë. Nuk ka vonesa sepse për të siguruar që arsimi prodhon burime njerëzore për të siguruar kualifikimet që ju duhen ju duhet të bëni zgjedhje kritike”, tha Fuchs –Schmitz.

Rezultatet e testit PISA rangohen në gjashtë nivele, ku niveli dy tregon për aftësi minimale të nxënësve.

Testi ka gjetur se në fushën e leximit 77 për qind të nxënësve nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në fushën e shkencave 68 për qind.

Dje, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, paralajmëroi për rezultatet që u publikuan sot. Sipas tij, rezultatet e këqija amnistohen sepse nuk përfshijnë periudhën e qeverisjes së tij.