(VIDEO) A po përgatitet shkrirja e UEJL-së në Universitetin “Nënë Tereza”?

190

A po “zhduket” Universiteti i Evropës Juglindore, apo thënë ndryshe, a po përgatitet shkrirja e këtij Universiteti në Universitetin “Nënë Tereza”? Çuditërisht, ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu, nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, por tha se kjo është një proces që duhet të ndodh natyrshëm. Indikative është edhe fakti që Universiteti “Nënë Tereza” do të shfrytëzojë hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, ndërsa në lidhje me këtë, ministri Lutfiu nuk zbardhi detajet e marrëveshjes mes dy institucioneve, se a do të paguhet qira dhe sa do të jetë vlera e saj. Përkundrazi ministri tha se mbetet e hapur mundësia për shkrirjen e Universitetit të Evropës Juglindore në Universitetin “Nënë Tereza”

“Ekziston mundësia e optimizmit apo racionalizimit të shkrirjes së Universitetit të Evropës Juglindore në Universitetin ‘Nënë Tereza’, mirëpo po e them përsëri, kjo është një proces i cili duhet të ndodhë natyrshëm e që duhet të ndodhë në të ardhmen”, tha ministri i arsimit dhe shkencës, Pishtar Lutfiu.

E në lidhje me këtë, analisti Alajdin Demiri thotë se kanë kaluar kohërat kur institucionet shtetërore mund të suprimonin dhe përvetësonin institucionet private. Këtë mundësi ai e cilëson si të dëmshme dhe të pamundur, duke shtuar se kjo do të dobësonte edhe atë universitet i cili ka ruajtur një nivel të cilësisë.

“Nuk mundet një universitet privat të shkrihet në një universitet shtetëror. Ai mund vetëm të blehet. Nuk mundet sot Ali Ahmeti ta bëjë pronë shtetërore, ai mund të krijojë universitet tjetër, nëse ka kapacitete, mirëpo shkrirja është e pakuptimtë”, thotë analisti Alajdin Demiri.

Demiri ka një sërë kritikash edhe për hapjen e Universitetit të ri, ku thotë se këtij akti duhet t’i paraprijë një analizë e përpiktë, si dhe sigurimi i kushteve të nevojshme. Në rastin konkret, Demiri thotë se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore që shkon në dëm të arsimit shqip.

Loading...

“Tash nuk është problemi i universitetit, por i BDI-së. Kur BDI i harxhoi të gjithë argumentet e fushatës zgjedhore, i harxhoi luftëtarët, e harxhoi luftën, e harxhoi Marrëveshjen e Ohrit, tash ngelet universiteti për fushatën zgjedhore. Për arsye se nëse analizohet ndryshe ky universitet, gabohet. Universiteti për t’u formuar, ka nevojë për një fazë përgatitore, në të cilën duhet të realizohet, të planifikohet dhe të bëhet”, theksoi Demiri.

Ndryshe, dje ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu, tha se janë pjekur të gjitha kushtet që Universiteti “Nënë Tereza” të fillojë funksionimin, pasi sipas tij kanë mbetur të rregullohen vetëm pjesët teknike, edhe pse ende nuk është kompletuar stafi akademik, ndërsa duke u bazuar në deklaratat e ministrit, mbetet të shihet nëse nga Universiteti i Evropës Juglindore do të shfrytëzohen vetëm hapësirat.